Miss Shqipëria… historia vazhdon

Shumëkujt, kur përmendet viti 1997, mendja mund t’i shkojë tek historitë e mbrapshta të atyre kohëve. Ndërsa ne kemi një anë tjetër, shumë më të mbarë për të rrëfyer: Pas një viti të tillë Petri Bozo organizoi në skenën e Pallatit të Kongreseve konkursin e bukurisë “Miss Shqipëria 1998”, ku kurorën do ta fitonte Aldona Elezi, e cila do të përfaqësonte shumë shpejt Shqipërinë mbi pasarelat e “Miss Europa 1999”.

Një vit më pas, spektakli i bukurisë shqiptar do të vinte me një format krejt të ri. “Miss Shqipëria” do ta vijonte historinë e tij jo më mbi skenat e mbyllura por nëpër monumentet historike të Shqipërisë. I pari që do të priste misset shqiptare ishte Butrinti. Mbi gurët e lashtë të këtij vendi “Miss Shqipëria 2000” u shpall Elisabeta Gjonpali.

Prova e parë, nën qiell të hapur u kalua me sukses. Ndaj misset do të vijonin rrugëtimin e tyre në të tjera vende të lashta të Shqipërisë. Gjonpali do ta dorëzonte kurorën e saj mbi gurët e kalasë së Rozafës. Në historinë e misseve, ndërkaq do të shtohej një tjetër emër, ai i Denisa Çelës. Ndërsa hartës së lëvizjeve të “Deliart Association” do t’i shtohej një tjetër qytet, Shkodra.

Pas Shkodrës, autobusi i misseve do të merrte drejtimin drejt një tjetër qyteti. Apollonia e Fierit ishte pika ku Petri Bozo do të ndalte hapin. Për të ngritur edhe aty një skenë bukurie, për të shpallur aty “Miss Shqipëria 2002”. Shansin për të hyrë në këtë histori, këtë vit do ta kishte Zajmina Vasjari.

Një vit më pas historia dukej se po riciklohej. Misset do të ktheheshin sërish atje ku tre vite më parë kishin hapur kapitullin e ri të këtij konkursi bukurie, pra në Sarandë. Gjithsesi skena e re do të ngrihej në kalanë e Lëkursit. Ku fituese u shpall vajza nga Tirana, Eriona Ibro.

Ende pa u shuar jehona e “Miss”-it të Lëkursit, në zyrat e “Deliart Assocation” do të piketohej skena e rradhës. Ku? Këtë herë vendimi ishte shumë i guximshëm. Miss-i i 2004-ës do të shpallej në kalanë e Beratit, në një hapësirë që veç shkurreve nuk ofronte dot asgjë. Por e pamundura u bë edhe këtë herë e mundur. Konkursi u bë dhe Miss-i u shpall. Ajo ishte Enkelejda Bargjo.

Rrugëtimi një vjeçar i Miss Bargjos, do të përfundonte në një tjetër kala, në atë të Kaninës. Viti 2005 do të ishte i tëri për Edlira Memën. Pas marrjes së kurorës “Miss Shqipëria 2005”, vajza nga Tirana do të përjetonte emocionet e prezantimit të një spektakli, të prezencës në pasarelat ndërkombëtare... e shumë e shumë momenteve kaq interesante, që vajza të tjera i kishin përjetuar kohë më parë.

E fundit që ka hyrë në këtë lloj bote, e që është përfshirë në vorbullën e këtyre emocioneve është Silvi Skënderaj, Missi që do të kurorëzohej në memorialin e Skënderbeut në Lezhë. Duke i shtuar kështu historisë së bukurisë shqiptare të tjera momente, që tashmë janë mbërthyer nëpër faqe gazetash, revistash, kalendarësh apo dhe nëpër minutazhe të tërë emisionesh, spektaklesh e reklamash televizive. Ku çdokund protagoniste ka qenë ajo “Miss Shqipëria 2006”... Protagonizëm që do të vijojë edhe pasi ajo të ketë dorëzuar më 30 qershor kurorën tek një tjetër Miss. Sepse me apo pa kurorë, Miss -et mbeten Miss -e.

 

 

 

 

Copyright © Deliart Association. All Rights Reserved
Design Kreshnik Islami