Kur bukuria zbret në Kalanë e ringjallur

Një fortesë e rrallë fushore, e ndërtuar nga romakët për të mbikëqyrur rrugën Egnatia. Ndërtesa nga ku nisi jeta e qytetit të Elbasanit, e rindërtuar nga Sulltan Mehmeti II, në pritje të kurorës së “Miss Shqipërisë”

Për “Miss Shqipërinë” ky është stacioni i radhës: Kalaja e Elbasanit. Një tjetër monumet për të kurorëzuar një mbretëreshë bukurie. Një tjetër monumet që do të ndriçohet nga projektorët për të nxjerrë në dritë një tjetër histori të lashtë. Një histori, që ndoshta do të vijonte të zbulohej mes rrënojash, nëse një punë kolosale dhe e kujdeshme nuk do ta kishte nxjerrë tamam nga dheu shekullor për ta rishfaqur në sytë e të gjithëve, bashkë me një amfiteatër të denjë për të mirëpritur spektatorët dhe një skenë që tashmë është gati të presë tridhjetenjë vajzat në garë për kurorën e “Miss Shqipërisë”.

Mund të quhet ndoshta një ringjallje e kalasë së lashtë kjo që po përjeton, që kur “Real Scampis” u ndërtua brenda saj. Një punë e cila ka zgjatur mbi dy vjet e gjysmë dhe në fund të së cilës u përftua një kala që të josh jo vetëm për të njohur ndërtimet e të shkuarës, por edhe për ta frekuentuar në të gjitha qoshkat e saj, jo vetëm me barin dhe restorantin por edhe me amfiteatrin e ndërtuar rishtazi e që është bërë jo pak herë skenë e ngjarjeve kulturore të qytetit. Siç do të ndodhë edhe kësaj radhe me spektaklin “Miss Shqipëria”, ku kalaja do të kthehet edhe njëherë në zemrën e qytetit. Siç ka qenë edhe dymijë vjet më parë, ndërtimi nga i cili lindi një qytet i tërë.

Një kala e rrallë
Kalaja, ndër të vetmet fushore në Ballkan, është në fakt i pari ndërtim i Elbasanit, që njihet si qyteti i lashtë ku monumentet kulturore janë nga më të rrallat që mund të preken në Shqipërinë e Mesme. Prandaj edhe kalaja në qendër të qytetit ka zënë vendin e merituar në botën e monumenteve të kulturës së ngulitur shqiptare. Këtë vlerësim e kanë bërë edhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës, por edhe të mbarë Shqipërisë.

Kalaja 2000 vjeçare është një ndërtim romak, i ngritur në fillim të shekullit III të erës sonë si një kështjellë ushtarake për strehimin e një legjioni dhe për të siguruar kontrollin e rrugës Egnatia, që në atë kohë ishte një arterie e rëndësishme e Perandorisë Romake. Luftërat barbare gjatë shekullit IV dhe V të erës sonë sollën shkatërrimin e kështjellave, dhe u desh dora perandorit bizantin me origjinë dardane Justinian, që e rindërtoi kështjellën mbi themelet e vjetra.

Ky ndërtim përmendet për herë të parë nga Kristobuli, historian i Mehmetit të II. Në shekullin e XVIII, qyteti u vizitua nga kronikani otoman Evlia Celepiu, i cili bëri përshkrimin e kalase. Objekt studimi i plotë kalaja u bë nga arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober, të cilët e vizituan gjatë Luftës së Parë Botërore. Ata konstatuan se poshtë mureve mesjetare kishte fortifikime të periudhës antike. Kalaja ka formë katër këndore me përmasa 308 x 48 metra. Nga 26 kulla që ka patur, sot ruhen vetëm 8 prej tyre dhe porta jugore e kalasë. Kështjella ka qenë rrethuar me një hendek, që mbushej nga devijimi i përroit të Zaranikës. Brenda kësaj kalaje gjenden aq shumë monumente kulture, sa edhe potencialet intelektuale të kulturës kombëtare, se pikërisht atje ku gjeneronte kultura e mendjes, gjeneron edhe kultura e arkitekturës. Kisha katolike unite, kisha ortodokse “Shën Maria”, shkolla e vjetër e Kalasë, xhamia Mbret apo hamami i vjetër i grave, ashtu si edhe kulla e sahatit apo çdo shtëpi e rrugicë e kësaj Kalaje ka vulën e historisë.

Në kërkim të emrit
Historia e trevave të Elbasanit e ka zanafillën e saj në shekullin II p.e.s. me vendbanimet e hershme ilire. Në shekullin II qyteti njihej me emrin Skampa e më vonë me emrin Skampini dhe ishte në varësinë administrative të Durrahut (Durrësit). Duke qenë i vendosur në kryqëzimin e rrugëve Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim, qyteti ka shërbyer si pikë e rëndësishme kalimi dhe si stacion i rëndësishëm, duke u përmendur si qendër urbane, ushtarake e peshkopale. Pas bllokimit të rrugës Egnatia nga dyndjet e barbarëve, qyteti i Skampinit nuk përmendej më dhe u shkatërrua nga bullgarët dhe ostrogotët gjatë migrimit sllavo-bullgar diku nga shekulli VI-VII.

Elbasani u themelua nga turqit osmanë në të njëjtin vend në shekullin XV. Pas disfatës që pësoi në rrethimin e dytë të Krujës, sulltan Mehmeti II, rindërtoi në kthim në vitin 1466 kalanë e vjetër, për ta pasur si pikë mbështetje të mëvonshme. Kalaja u ndërtua ashtu siç kishte qenë për vetëm 25 ditë dhe në ndërtimin e saj ndihmuan 150,000 njerëz. Në hyrje të kalasë, mbi një pllakë, sulltani shkroi në turqisht: “Eli-Basan, es Sulltan, ibni Sulltan, Fahati Sulltan, Mehmet thani han”. (Vura dorë, unë sulltan bir sulltanësh, sulltan triumfues, Mehmeti, mbret i madh.”). Pra, Elbasan do të thotë “vura dorë”. Me kalimin e kohës rreth Kalasë u zhvillua qyteti i Elbasanit.

Kthim në të ardhmen
Për vite me radhë, ajo që dikur kishte qenë Kalaja e Elbasanit do të kishte mbetur thjesht një grumbull rrënojash për t’u vizituar e për të shkrepur një foto turistike, nëse nuk do të kishte lindur ideja e ndërtimit brenda saj e një kompleksi që do ta shndërronte fortesën e vjetër në një pikë shumë- funksionale e të frekuentueshme. Prandaj dhe në vitin 1998 nisën gërmimet gjeologjike, dy vjet e gjysmë pas të cilave kalaja e lashtë doli mbi dhé. Një punë vërtetë kolosale po të kemi parasysh që u nxorrën jashtë plot tetë mijë metra kub dhé, jo me teknikat moderne të ndërtimit por me mjete arkeologjike. Vetëm pas këtyre punimeve, të cilat zbuluan muret më të vjetra, ato të ndërtimit romak, u pa se nëntoka kishte fshehur më shumë se gjysmën e kalasë. Një tjetër projekt nisur tashmë nga Bashkia e Elbasanit, parashikon restaurimin e jashtëm të mureve të kalasë dhe të rrugës rreth saj, pritet të evidentojë edhe më mirë fragmentet e mbetura të mureve të lashta.

Tashmë pjesa e hyrjes, njëra nga kullat dhe një seri rrënojash që i takojnë periudhës romake dhe bizantine, janë bërë të dukshme për publikun. Por nëse deri tani është bërë vetëm gërmimi dhe konservimi, projektet e mëpashme parashikojnë dhe restaurimin e ndërtimtit si dhe ngritjen e një muzeu me objktet e shumta arkeologjike bizantine dhe romale të cilat kanë dalë gjatë gërmimeve arkeologjike. Bashkë me një bar – restorant të ndërtuar në përputhje me me stilin e vjetër prej sarajesh të Kalasë si dhe me amfiteatrin që e kthen këtë pikë në qendrën e kulturës dhe spektakleve të qytetit, muzeu pritet të jetë një joshje më shumë për të gjithë ata që iu pëlqen ta kalojnë kohën në një pikë ku historia dhe e sotmja rrinë kaq mirë pranë.

 

Copyright © Deliart Association. All Rights Reserved
Design Kreshnik Islami